Ministri i Drejtësisë, Administratës dhe Transformimit Digjital të Kroacisë, Damir Habijan, prezantoi të premten një paketë ndryshimesh ligjore me të cilën vendoset dënimi me burgim të përjetshëm dhe një sistem i posaçëm mbikëqyrjeje për personat që edhe pas vuajtjes së dënimit paraqesin rrezik serioz për shoqërinë.
Habijan tha se ndryshimet kanë tri drejtime kryesore: vendosjen e burgimit të përjetshëm, rishikimin e masës së sigurisë për mbikëqyrje pas vuajtjes së dënimit dhe miratimin e një ligji të posaçëm për vendosjen e personave të rrezikshëm nën mbikëqyrje të vazhdueshme.
Ai theksoi se burgimi i përjetshëm do të jetë alternativë për veprat penale më të rënda, për të cilat aktualisht parashikohet dënimi afatgjatë me burg, ndërsa do të ekzistojë mundësia e lirimit me kusht pas 25 vjetësh, sipas modelit të disa vendeve të Bashkimit Evropian.
Ministri tha se ndryshimet janë nxitur nga një vrasje e rëndë e ndodhur së fundmi në Dërnish, ku u vra një 19-vjeçar. Për këtë rast dyshohet një person që më parë kishte qenë i dënuar për vrasje.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar një mekanizmi të ri, sipas të cilit personat që kanë vuajtur dënimin, por që vlerësohen ende si të rrezikshëm, do të vendosen në institucione të posaçme nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Ky model bazohet në zgjidhjen e aplikuar në Gjermani.
Vendimin për këtë masë do ta marrë gjykata, mbi bazën e ekspertizave profesionale dhe propozimit të organit kompetent, ndërsa rasti do të rishqyrtohet të paktën një herë në vit.
Habijan paralajmëroi gjithashtu mungesën e kapaciteteve në burgjet kroate, duke theksuar se në institucionet korrektuese aktualisht ndodhen rreth 5.000 persona, ndërsa kapaciteti është rreth 4.000 vende. Ai njoftoi zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese dhe ndërtimin e objekteve të reja.
Ministrja e Shëndetësisë, Irena Hërstiq, sqaroi se institucioni i ri nuk do të jetë as institucion shëndetësor dhe as penal, por një institucion i posaçëm për persona pa diagnozë të sëmundjes mendore, por me prirje të theksuara të sjelljes së dhunshme. Aty do të zhvillohen programe trajtimi dhe rehabilitimi, jo trajtim mjekësor.
Sipas vlerësimeve të autoriteteve, numri i personave që mund të përfshihen në këtë masë pritet të jetë më pak se dhjetë.